Miratohen 13 projekte të reja për impiante fotovoltaike, 3 prej tyre në Fier

Të paktën 13 projekte të reja për impiante fotovoltaike kanë marrë miratim për leje zhvillimi ose ndërtimi, sipas aplikimeve të paraqitura në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, të datës 29 shtator.
Projektet e miratuara kanë një kapacitet të instaluar total prej 302 MW dhe përfshijnë impiante të pavarura, që nuk përfitojnë nga skemat mbështetëse të qeverisë, por do të operojnë në tregun e lirë të energjisë.
Projekti më i madh është parashikuar në Bashkinë Kolonjë, nga kompania “Fortis Energy & Construction” sh.p.k., me kapacitet 62 MW. Një tjetër impiant i rëndësishëm, me fuqi 30 MW, do të ndërtohet në Bashkinë Fier nga “EZ-5 Solar Park 2” sh.p.k..
Në Fier janë miratuar gjithsej tre projekte të reja:
- “Power Energy” sh.p.k., me fuqi 25 MW;
- “Gemtech Solar Park” sh.p.k., me fuqi 10 MW;
- “EZ-5 Solar Park 2” sh.p.k., me fuqi 30 MW.
Në listën e miratuar përfshihen edhe impiante në Gramsh, Ersekë, Bulqizë, Himarë, Elbasan dhe Kolonjë, me kapacitete që variojnë nga 2 deri në mbi 40 MW. Disa kompani si “Erseka Solar” po vijojnë me zgjerime të loteve të reja të impianteve ekzistuese.
Aktualisht në vend janë disa projekte fotovoltaike që kanë nisur prodhimin, duke rritur gradualisht peshën e energjisë diellore në raport me totalin kombëtar.
Megjithatë, sipas ekspertëve, rritja e kapaciteteve pritet të sjellë diversifikim të burimeve të energjisë në një periudhë afatmesme.
Impianti më i madh në prodhim aktualisht mbetet ai i Karavastasë, me kapacitet 140 MW. /MONITOR




