Mjekja nga Fieri Brisilda Xhelaj kritikon mediat: I japin më shumë rëndësi skandaleve se sa edukimit të të rinjve
Mjekja e njohur nga Fieri, Brisilda Xhelaj, ka ndarë një episod zhgënjyes nga përvoja e saj në një intervistë televizive. E ftuar nga Top Channel për të folur mbi rastin tragjik të adoleshentit Grei, i cili humbi jetën pasi u godit me thikë në qendër të Fierit, ajo kishte përgatitur një fjalim 15-minutësh për të ndërgjegjësuar të rinjtë. Megjithatë, Xhelaj u shpreh se iu dha vetëm një minutë kohë për të folur, pasi pjesa tjetër e programit u dominua nga promovimet e skandaleve të showbiz-it.
“TV-ve u interesojnë më shumë skandalet dhe sensacionet se sa temat edukative kaq të rëndësishme,” tha Xhelaj, duke kritikuar mungesën e hapësirës që i dedikohet mesazheve me vlerë për të rinjtë dhe komunitetin.
Rasti i Greit, që tronditi qytetin e Fierit, ishte një moment për reflektim dhe edukim mbi rëndësinë e kontrollit të emocioneve në moshën e adoleshencës, por Xhelaj theksoi se ky mesazh nuk mori vëmendjen e duhur.
Kjo deklaratë ngre pyetje mbi rolin e mediave në promovimin e edukimit dhe ndërgjegjësimit, përballë trendeve që shpesh favorizojnë temat sensacionale.