“Mori në qafë nënën e saj”/ Dëshmitarët flasin për aksidentin në Fier: BMW-ja e kishte fajin

Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në autostradën Fier-Lushnje, në zonën e njohur si “Kryqëzimi i Vajkanit”. Nga përplasja mes dy automjeteve ka humbur jetën Marjana Kovaçi, rreth 60 vjeçe, ndërsa vajza e saj, Laureta Mali, që ndodhej në timon, si dhe një tjetër pasagjer, kanë mbetur të plagosur.
Pamjet e siguruara nga Fieri Web tregojnë mjetin tip BMW, i cili pas përplasjes ka goditur ndarësen metalike të autostradës. Pjesa metalike ka depërtuar në derën e pasme të mjetit, duke rezultuar fatale për pasagjeren që ndodhej aty.
Sipas të dhënave paraprake, aksidenti dyshohet se është shkaktuar nga një manovër e gabuar parakalimi e drejtueses së BMW-së, e cila ka kaluar vijat e bardha në një kthesë, duke mos respektuar sinjalistikën rrugore. Në atë moment, mjeti është përplasur me një Citroën, i drejtuar nga një shtetas britanik që udhëtonte me bashkëshorten shtatzënë.
Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se BMW-ja ka kryer një parakalim të rrezikshëm, duke rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.
Dëshmitari 1:
“Isha pas makinave që u aksidentuan. Nuk pati faj makina Citroën, por vetë drejtuesja e BMW-së, e cila bëri parakalim të gabuar. Ajo më parakaloi edhe mua me shpejtësi, në një vend ku nuk lejohej, dhe pas sekondash ndodhi fatkeqësia që i mori jetën nënës së saj. Për pak nuk humbën jetën edhe të tjerët.”
Dëshmitari 2:
“Turisti nuk kishte faj. Shoferja me BMW bëri parakalim në kthesë, në një segment të ndaluar. Citroëni kishte ndezur sinjalin për t’u kthyer dhe po lëvizte në rregull. E pashë ngjarjen me sytë e mi. Fatkeqësisht, shoferja mori në qafë nënën e saj. Shyqyr Zotit nuk u lënduan rëndë pasagjerët e tjerë dhe turisti me bashkëshorten shtatzënë.”
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore dhe për të mbledhur prova, përfshirë pamjet filmike dhe dëshmitë e qytetarëve.




