Naftëtarët e Marinzës në ditën e 11-të të grevës: “Po mbijetojmë me shpirt ndër dhëmbë”
Në ditën e njëmbëdhjetë të grevës, naftëtarët protestues të ngujuar në ambientet e Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve në Marinzë deklarojnë se “po mbijetojnë me shpirt ndër dhëmbë”, përballë heshtjes së kompanisë dhe mungesës së reagimit nga institucionet shtetërore.
“Pavarësisht presioneve, ne do të vijojmë qëndresën tonë deri në fund,” – shprehen grevistët, duke theksuar se kërkesat e tyre për kushte më të mira pune dhe respektim të të drejtave sindikale janë shpërfillur nga kompania ‘Bankers Petroleum’.
Dritan Rrapushi, një nga grevistët, është shprehur:
“Pa sindikata, nuk ka demokraci. Ka ardhur koha që kjo thirrje të buçasë fuqishëm për të rikthyer dinjitetin e punonjësve. Presioni dhe intimidimi ndaj punëtorëve ka qenë i madh. Disa prej tyre janë detyruar të rikthehen në punë, sepse u kanë vënë në fyt litarin e bukës, bukën e fëmijëve. Por ne nuk do të dorëzohemi. Presionet psikologjike nuk do të na përçajnë.”
Sipas Rrapushit, për situatën e krijuar, punonjësit kanë vënë në dijeni zyrtarisht Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit dhe Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, duke kërkuar ndërhyrje dhe mbështetje për zgjidhjen e krizës.
“Çështjet sindikale duhen parë me prioritet, edhe në kuadër të procesit të integrimit europian,” – ka shtuar Rrapushi.
Grevistët shprehen të vendosur të përshkallëzojnë grevën, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, duke theksuar se “qëndrueshmëria dhe dinjiteti i punonjësve nuk janë për t’u nëpërkëmbur.”




