Ndahet nga jeta “Bilbili i Çamërisë”, artisti fierak Shaban Zeneli

Është ndarë nga jeta artisti i njohur fierak Shaban Zeneli, i cilësuar si “Bilbili i Çamërisë”, pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga familjarët, duke prekur thellë komunitetin artistik dhe dashamirësit e muzikës popullore.
Shaban Zeneli ishte një nga zërat më përfaqësues të këngës çame në Shqipëri. Me një karrierë të gjatë në skenë, ai u bë i njohur për interpretimet e tij plot ndjenjë dhe autenticitet, duke ruajtur dhe përcjellë me përkushtim traditat muzikore të Çamërisë. Këngët e tij janë kënduar dhe dashur ndër vite nga publiku, sidomos në zonën e Fierit dhe më gjerë, ku ai konsiderohej një figurë e respektuar e artit popullor.
Pritjet për ngushëllime do të mbahen në ambientet e funeralit “Home Funeral Emini”, në Fier, në lagjen “15 Tetori”, rruga “Harrilla Bozdo”.
Ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet ditën e premte, më 1 Maj 2026, në orën 15:00, në varrezat e qytetit të Fierit.
Me ndarjen e tij nga jeta, muzika popullore shqiptare humb një zë të veçantë, ndërsa kujtimi dhe interpretimet e tij do të mbeten të gjalla përherë.




