Ndahet nga jeta ikona e modës botërore, Valentino Garavani

Roma – Bota e modës është në zi. Valentino Garavani, një nga stilistët më të mëdhenj dhe më me ndikim të shekullit XX, është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare, në rezidencën e tij në Romë, i rrethuar nga njerëzit më të afërt.
Lajmi është konfirmuar nga fondacioni i tij dhe mediat ndërkombëtare. Valentino, i njohur si “Perandori i modës italiane”, la një trashëgimi të jashtëzakonshme që i kapërceu trendet, shijet dhe brezat.
I lindur në Itali, Valentino themeloi Maison Valentino në vitin 1959 në Romë, duke ndërtuar një perandori mode që u bë simbol i elegancës, luksit dhe finesës. Krijimet e tij, veçanërisht fustanet ikonike në “Valentino Red”, u veshën nga mbretëresha, zonja të para dhe yje të tapetit të kuq në mbarë botën.
“Çfarë dëshirojnë gratë? Të jenë të bukura”, ishte filozofia që e udhëhoqi gjatë gjithë karrierës së tij, deri në tërheqjen nga moda aktive në vitin 2007.
Sipas njoftimit zyrtar, homazhet për Valentino Garavani do të mbahen në Piazza Mignanelli 23, më 21 dhe 22 janar, nga ora 11:00 deri në 18:00, ndërsa ceremonia mortore do të zhvillohet të premten, më 23 janar, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, në Romë, në orën 11:00.
Me ndarjen nga jeta të Valentino Garavanit, moda botërore humbet një legjendë, por trashëgimia e tij do të mbetet e pavdekshme.




