“Ndaleni para se të hyjë në luftë”/ Tensionet në pikat kufitare, Kosova i kërkon Perëndimit të marrë masa ndaj Vuçiçit
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të marrin masa ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
“Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”, ka shkruar Gërvalla në Twitter mbrëmjen e së premtes.
Pas bllokadave në anën serbe të pikëkalimeve kufitare nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës, Gërvalla ka thënë se shteti serb ka gisht në këtë ngjarje.
“Përtej kufirit në Bërnjak, serbët e maskuar po ndalojnë veturat me regjistrim gjerman dhe nuk po i lënë shqiptarët të kalojnë. Policia e Vuçiçit po e mbështet këtë përshkallëzim racist, duke shikuar e duke mos vepruar asgjë”, ka shkruar ajo.
“Kosova do ta mbajë kufirin e mbyllur deri sa të garantohet lëvizja e lirë dhe shqiptarët të sigurohen nga skenat më të këqija të kriminelëve serbë të maskuar, që i ndjekin e kërcënojnë sërish.
Ne i bëjmë thirrje BE-së dhe SHBA-së që të kundërshtojnë me vendosmëri hapat e ardhshëm përshkallëzues të Vuçiçit. Ai duhet të ndalet para se të hyjë në luftë”.
Më herët të premten, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, njoftoi për mbylljen e pikëkalimit në Bërnjak. Në një rast, sipas Sveçlës, një familjes që po udhëtonte nga Kosova në Gjermani i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Këto akte ai i ka quajtur fashiste. Ka thënë se ato po ndodhin para syve të Policisë së Serbisë, të cilën e ka quajtur bashkëfajtore.
Edhe rrugët tjera në Serbi, e që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare me Kosovën në Merdar dhe Jarinjë, janë bllokuar pasditen e së premtes nga grupet që po protestojnë kundër vendimeve të autoriteteve kosovare në veri të Kosovës.
Qytetarët serbë që janë futur në Kosovë nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë kanë thënë se po u kërkohen dokumente.
Bllokada ishte paralajmëruar nga “Këshilli për Bllokada i Serbisë” pasi Policia e Kosovës mbylli 5 zyra të strukturave paralele në veri me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Në aksionin e 30 gushtit u mbyllën zyrat e katër komunave paralele: Mitrovicë, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan, si dhe Zyra e Qarkut të Mitrovicës.
Të mërkurën e të enjten Policia ka intervistuar udhëheqësit e këtyre zyrave me dyshimet për falsifikim me dokumente.
Bashkësia ndërkombëtare ka kritikuar Qeverinë për këtë dhe për aksionet e tjera në veri, duke e ftuar të përmbahet “nga veprimet që mund të nxisin tensione”.
Pas paralajmërimit për bllokadë, institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta evitojnë kalimin nga Serbia. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar nga qytetarët të shmangin kalimin transit nëpër pikëkalimet kufitare me Serbinë. E Qendra Kombëtare për Menaxhim të Kufirit ka bërë thirrje të enjten që kufiri të mos kalohet as në pikëkalimin e vetëm me Malin e Zi, Kullë.