Ndërpritet uji në Fier, qytetarët përballen sërish me mungesë në prag fundjave dhe festash

Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve Fier ka njoftuar se, për shkak të një ndërhyrjeje në dalje të depove në Qafën e Koshovicës, në tubacionin kryesor të qytetit (Ø800), do të ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm në të gjithë qytetin e Fierit.
Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja do të nisë të mërkurën, më 8 prill, në orën 20:00 dhe pritet të zgjasë deri të enjten, më 9 prill.
Por ajo që ngre shqetësim te qytetarët është fakti se këto ndërhyrje po kryhen sërish në prag fundjave, pikërisht në një periudhë kur shumë banorë kthehen në qytet dhe kërkesa për ujë rritet ndjeshëm. Akoma më problematike bëhet situata duke qenë se jemi edhe në prag të festave të Pashkëve.
Ndryshe nga defektet e papritura, kjo ndërhyrje lidhet me montimin e sahateve për matjen e sasisë së ujit që hyn në qytet, çka nënkupton se kemi të bëjmë me një proces të planifikuar. Për këtë arsye, qytetarët kërkojnë që institucioni të marrë masa dhe të organizojë punën gjatë orëve të natës, në mënyrë që të shmangen ndërprerjet masive gjatë orareve më të ndjeshme.
Mungesa e ujit në të gjithë qytetin për orë të gjata vijon të mbetet një problem i përsëritur për Fierin, ndërsa pritet që institucionet përgjegjëse të reflektojnë për një menaxhim më efikas dhe më qytetar të situatave të tilla.




