Ndërron jetë në burgun e Fierit i dënuari nga Tirana, vuante nga disa sëmundje kronike

Ka ndërruar jetë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Fier, i dënuari Luan Sali Bundo, 68 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Bundo po vuante një dënim prej 10 vitesh burgim për veprat penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Mashtrim”, ndërsa i kishin mbetur edhe 4 vite e 11 muaj për të shlyer.
Sipas burimeve, ai vuante nga disa sëmundje kronike dhe trajtohej vazhdimisht nga stafi mjekësor brenda institucionit.
Mësohet se i ndjeri ishte diagnostikuar me hipertension arterial, diabet mellitus, hipertrofi të gjëndrës së prostatës, çrregullim ankthi dhe hiperuricemi, për të cilat merrte trajtim të rregullt me medikamente.
Burime bëjnë me dije se gjendja e tij shëndetësore kishte qenë e rënduar, ndërsa ende nuk ka një informacion zyrtar mbi shkakun e saktë të vdekjes.




