Ndërron jetë nga COVID-19 në moshën 30-vjeçare, piktori Kristi Baba! I ati: Në nëntor po bëheshe gati për ekspozitë, ishe jeta, dielli dhe drita e shtëpisë
Në nëntor do të çelte ekspozitën e tij të radhës, por COVID-i ia theu në mes këtë dëshirë, duke i marrë jetën. Piktori i njohur Kristi Baba, nuk ia doli që të fitonte betejën me virusin e pamëshirshëm që e mori në lule të rinisë, në moshën 30-vjeçare. Lajmin e trishtë e dha babai i piktorit, i cili shprehet se ky virus ia shoi çdo ëndërr.
“Me hidhërim të thellë dhe dhimbje të madh ju njoftojmë se djali ynë i vetëm Kristi Baba piktor u nda nga jeta në moshën 30 vjeçare në lulen e rinisë duke mos e fituar betejën me COVID-in. Ti për ne ishe jeta dielli ishe ajri ishe drita e shtëpisë. T’u shuan gjithë ëndrrat e tua dhe përkushtimi që kishe për artin dhe po pregatiteshe për ekspozite në nëntor që nuk ja arrite”, shkruan babai i tij.
Baba një zë i ri i pikturës moderne shqiptare. Ai deklaronte se piktura nuk mbetet thjesht pikturë kur pasqyrohen ndjesitë në të, ajo kthehet automatikisht në një qenie plot jetë dhe është e aftë të komunikoj me ty, e pavarësisht se shpesh herë i duhet edhe të hesht, ajo arrin të marri frymë ashtu e përgjumur në qetësinë e vet si një krijesë përballe teje.
Kristi Baba ka marrë pjesë edhe në disa ekspozita kolektive si: në galerinë FAB në Universitetin e Arteve “ATELIE 2011”; në Muzeun Historik Kombëtar me një cikël të plote punimesh; po në galerinë FAB në ekspozitën “Të gjithë mbi një qiell” ndërsa më përpara ka hapur po një ekspozitë personale me një koleksion punimesh grafike dhe piktura në teknikën vaj dhe pen.