Ndotje alarmante në përroin e Gorishovës, mbetjet hidrokarbure përfundojnë në Lumin Vjosa

Në një kohë kur kriza globale e energjisë ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e burimeve hidrokarbure, në Shqipëri situata paraqitet alarmante sa i përket menaxhimit të tyre dhe ndikimit në mjedis.
Prej tre ditësh, përroi i fshatit Gorishovë, në njësinë administrative Cakran të Fierit, është ndotur rëndë nga mbetje hidrokarbure që dyshohet se shkarkohen nga vendburimi i Drenovës, nën administrimin e Albpetrol. Uji ka marrë ngjyrë të zezë dhe përhap një erë të rëndë nafte, duke kthyer zonën në një vatër serioze ndotjeje që rrezikon drejtpërdrejt jetën e banorëve dhe tokat bujqësore përreth.
Sipas banorëve, ndotja është e vazhdueshme dhe përmban përbërje të rrezikshme, përfshirë substanca me përmbajtje acide, të cilat po dëmtojnë bimësinë dhe po ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre. Aroma e rëndë e naftës ka bërë që jetesa në zonë të bëhet pothuajse e pamundur.
“Ky kanal është shumë shqetësues për çdo gjë, për bimët dhe për njerëzit, sepse ka përmbajtje acidi. Këtu shkarkohen puset e naftës. Në mëngjes nuk hapim dot dritaret, mbytesh brenda në shtëpi. Nuk është jetë kjo”, shprehet një banor i zonës.
Banorët hedhin poshtë pretendimet se bëhet fjalë për mbetje solari, duke theksuar se kemi të bëjmë me naftë bruto që rrjedh lirshëm në natyrë.

“Këta pretendojnë se është solar, por kjo është naftë. E gjitha shkon në Vjosë. Ka tre ditë që jemi mbytur nga era e rëndë. Është katastrofë. Nuk e kuptojmë si lejohet kjo, kur Vjosa është shpallur park kombëtar”, thotë një tjetër banor.
Ndërkohë, ndotja nuk mbetet vetëm në përroin e Gorishovës, por rrjedh pa asnjë filtër drejt Lumi Vjosa, duke u kthyer në një kërcënim serioz për një nga pasuritë më të rralla natyrore në Evropë. Mbetjet hidrokarbure përhapen në ekosistem, duke rrezikuar jetën ujore, tokat përreth dhe më tej duke avancuar drejt detit.
Kujtojmë se Lumi Vjosa, që prej marsit të vitit 2023, mban statusin Park Kombëtar, duke qenë lumi i parë i egër në Evropë me mbrojtje të plotë ligjore. Megjithatë, situata në terren tregon një realitet shqetësues, ku ndotja vijon dhe sfidon hapur këtë status mbrojtës.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për ndalimin e shkarkimeve dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, duke theksuar se kjo është një problematikë e hershme që vazhdon të dëmtojë jetën, mjedisin dhe ekonominë e zonës.




