Në kërkim për grabitjen e Exchange në Astir, Tafani dyshohet se vepronte si vrasës me pagesë (Detajet)
Artan (Marjus) Tafani, i shpallur në kërkim për grabitjen e rreth 40 mijë eurove në një exchange në Astir, ngjarje e ndodhur në 24 qershor në Astir, dyshohet se është përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Tafani mund të jetë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë. Sipas po të njëjtave burime mësohet se 39-vjeçari ka marrë pjesë në një vrasje të bujshme në vend.
Hetuesit tregohen të rezervuar lidhur me ngjarjen që ai është përfshirë pasi hetimet janë ende në vijim. Makina e gjetur e vjedhur në garazhin e bashkëpunëtorit të tij pas zbardhjes së grabitjes dyshohet se do përdorej në ngjarje të tjera kriminale.
Tafani është një emër i njohur për autoritetet. Artan (Marius) Tafani u shpall në kërkim 3 ditë pas grabitjes së pikës valutore. Ai u identifikua pas vëzhgimit të kamerave të sigurisë, ku rezultoi se ai ka lëvizur me biçikletë dhe me pas ka humbur gjurmët me taksi.
Për ngjarjen u arrestua edhe Enio Meçaj, në magazinën e të cilit u gjetën edhe rrobat që përdori në grabitje 39-vjeçari.