Në Libofshë të Fierit prodhohet rrush gjatë gjithë vitit

Libofshë, Fier – Zona e Libofshës është shndërruar në një nga qendrat më të rëndësishme të kultivimit të rrushit në sera në Shqipëri. Klima e përshtatshme dhe përvoja e fermerëve kanë bërë që kjo kulturë të lulëzojë, duke e kthyer Libofshën në simbol të prodhimit të rrushit të tavolinës me cilësi të lartë.
Sipërfaqet e mbjella me rrush janë rritur çdo vit, ndërsa fitimet për prodhuesit kanë qenë të kënaqshme. Megjithatë, këtë sezon fermerët po përballen me vështirësi në shitjen e prodhimit, për shkak të konkurrencës së fortë nga rrushi i importuar nga vendet fqinje, kryesisht Italia dhe Greqia.
Fermeri Romeo Mile, me mbi 25 vite eksperiencë në këtë sektor, rrëfen se e nisi me një sipërfaqe të vogël pas kthimit nga emigrimi në Sicili, ndërsa sot ka arritur në rreth 6 hektarë të mbjella me varietete të ndryshme rrushi.
“Fushatën e nisemi që në maj dhe e mbyllim në dhjetor. Me rrushin e hershëm nuk kemi pasur probleme, pasi rreth 70% shkonte në eksport. Por aktualisht eksporti është i bllokuar sepse në treg ka hyrë sasi e madhe rrushi nga jashtë, me çmime shumë më të ulëta. Megjithatë, cilësia jonë është e shkëlqyer, pasi kemi eksperiencë dhe kujdes maksimal në prodhim,” – shprehet Mile.
Fermerët e zonës kërkojnë ngritjen e një pike grumbullimi në Libofshë, që do t’u mundësonte edhe prodhuesve të vegjël të lidhin kontrata të qëndrueshme dhe të sigurojnë treg për eksport.
Sot, shumë të rinj të zonës janë përfshirë në këtë veprimtari bujqësore, e cila po shihet si një mundësi reale zhvillimi ekonomik për Libofshën dhe gjithë rajonin e Fierit — nëse mbështetja institucionale nuk mungon.




