Në patrullë me Alije Buzin, policja 24-vjeçare në Fier: Kam 9 muaj në këtë detyrë, e kënaqur me zgjedhjen time

Në Fier, një vajzë vetëm 24-vjeçare po shfaq shembullin e guximit dhe përkushtimit në një profesion të dominuar kryesisht nga burrat. Ajo është Alije Buzi, e cila prej nëntë muajsh mban me krenari uniformën blu dhe ka fituar respektin e kolegëve si një nga drejtueset e patrullës së rendit në qytetin e saj të lindjes.

Çdo mëngjes në ambientet e Komisariatit të Fierit nis me rreshtimin dhe instruksionet e shërbimit. Mes efektivëve dallohet edhe Alije, e cila sapo ka përfunduar Shkollën e Policisë dhe ka zgjedhur të shërbejë pranë komunitetit të saj.

“Pozicioni im është patrullë rendi dhe kam afërsisht 9 muaj në këtë detyrë. E kam zgjedhur këtë profesion sepse më pëlqen dhe e ndjej si thirrje të brendshme. Jam shumë e kënaqur me zgjedhjen time,” – rrëfen ajo me një buzëqeshje të vendosur.
Si drejtuese e mjetit të patrullës, Alije ka treguar jo vetëm aftësi teknike të larta, por edhe përqendrim maksimal në situata emergjente. Në raste të tilla, ajo thekson se reagimi i shpejtë mund të bëjë diferencën mes jetës dhe vdekjes apo kapjes në flagrancë të autorit të një krimi.

“Edhe pse ka vështirësi, kjo punë më jep kënaqësi. Ndjej vlerësim nga drejtuesit dhe kolegët, sidomos në situata kur reagimi ynë bën diferencën,” – shton ajo.
Përtej uniformës, Alije është një vajzë që i kushton rëndësi formimit të vazhdueshëm. Ajo lexon libra dhe ushtron aktivitet fizik për të qëndruar në formë dhe për të ecur përpara në karrierë.

“Nuk mendoj se duhet të ketë paragjykime për profesionet që zgjedhim, aq më pak për vajzat në polici. Familja më ka mbështetur që në fillim, dhe sot kjo mbështetje është edhe më e madhe. Çdo vajze që ëndërron të jetë pjesë e këtij institucioni, i them: mos hezito!”
Përkushtimi dhe profesionalizmi i saj vlerësohet edhe nga kolegët. Flatun Shehaj, specialist i rendit dhe sigurisë publike në Fier, e cilëson Alijen si një shembull frymëzues për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e Policisë së Shtetit.

Megjithatë, statistikat tregojnë se përfaqësimi i grave në radhët e Policisë së Shtetit mbetet i ulët. Nga 9,592 efektivë në total, vetëm 991 janë gra – rreth 10.3% e trupës aktive.

Historia e Alije Buzit është një dëshmi se me pasion dhe vendosmëri, vajzat shqiptare mund të arrijnë gjithçka, edhe në profesionet më sfiduese.
Kristaq Thano – Report Tv




