Në punë pas 10 vitesh/ I verbëri me dy fakultete punësohet Bashkin e Roskovecit: Dita më e bukur e jetës
Ëngjëllush Hoxhës i mungon shikimi, por ka talent dhe vullnet të jashtëzakonshëm. 39-vjeçari nga fshati Vidhishtë ka përfunduar studimet në Liceun Artistik “Jakov Xoxa”, në degën e fizarmonikës, ndërsa më pas ka vazhduar studimet e larta për Drejtësi.
Por pavarësisht përkushtimit të tij, Engjëllushi ka qenë i papunë për 10 vite. Pak muaj më parë, ai u shpall fitues për një pozicion në zyrën e informacionit në Bashkinë Roskovec. Kjo mundësi e papritur i ka ndryshuar jetën e tij.
“Aplikova në Zyrën e Punës në Fier dhe dy muaj më parë mora një telefonatë,” tregon Engjëllushi. “Ajo ka qenë dita më e bukur e jetës time, isha përzgjedhur fitues i një vendi pune në zyrën e informacionit në Bashkinë Roskovec, punë të cilën e kisha ëndërruar prej vitesh.”- shprehet ai.
Ëngjëllushi tregon se në fillim, disa nga kolegët e tij ishin skeptikë, por me kalimin e kohës, ata kuptuan se Engjëllushi zotëronte një njohuri të shkëlqyer në përdorimin e kompjuterit, por edhe një komunikim shumë të mirë me qytetarët.
Historia e Engjëllushit është një shembull i shkëlqyer se si vendosmëria dhe pasioni mund të ndihmojnë për të kapërcyer çdo pengesë.