Në rezervuarin e Petovës në Fier janë konstatuar mbi 5 ton peshk të ngordhur, të cilët kanë mbushur bregun e këtij rezervuari.
Temperaturat e larta të verës dhe shpërndarja e peshqve të ngordhur nga kafshët e egra në tokat e fermerëve e përkeqësojnë situatën duke rritur dhe rrezikun e përhapjes së nje epidemie pasi peshqit janë me madhësi mbi 5 kg
Drejtori i Bujqësisë pranë Bashkisë Fier, Ferrik Avdia, ka bërë të ditur se ngordhja e peshkut është shkaktuar nga temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve, të cilat kanë ulur ndjeshëm nivelin e oksigjenit në ujë. Kjo situatë ka qenë fatale për peshqit, duke çuar në ngordhjen e tyre masive.
Megjithatë, institucionet lokale në Fier nuk kanë kapacitetet për të ndërhyrë dhe normalizuar këtë situatë emergjente. Kompetencat për menaxhimin e kësaj situate i përkasin Ministrisë së Bujqësisë, e cila është informuar për gjendjen dhe ka dërguar specialistët e saj për të marrë masa.
Pas grumbullimit, peshku do të transportohet në fabrikat e përpunimit, ku do të shndërrohet në koncentrat. Kjo masë është marrë për të siguruar që situata të kontrollohet dhe të minimizohet ndikimi negativ në shëndetin publik dhe mjedisin rrethues.
Është e rëndësishme që institucionet përgjegjëse të marrin masa afatgjata për të parandaluar përsëritjen e situatave të ngjashme në të ardhmen, duke monitoruar më nga afër kushtet e mjedisit dhe duke ndërmarrë veprime për ruajtjen e ekuilibrave natyrorë në rezervuarët pasi e njejta situatë është përsëritur dy muaj më parë në rezervuarin e Kurjanit nē Roskovec