Nga SHBA në Europë/ Shtrenjtimi i karburanteve mbërrin në pompë, bota ndjen efektet e luftës në Iran

Çmimi mesatar i benzinës në Shtetet e Bashkuara është rritur me gati 27 cent për gallon që nga java e kaluar duke arritur në 3.25 dollarë për gallon, tha në një njoftim Shoqata Amerikane e Automobilave (AAA).
“Herën e fundit që mesatarja kombëtare bëri një rritje të ngjashme javore ishte në mars të vitit 2022 gjatë fillimit të konfliktit Rusi/Ukrainë“, deklaroi AAA.
Rritja e fundit e vendos mesataren kombëtare në të njëjtin çmim siç ishte në fillim të prillit të vitit 2025 dhe SHBA-të janë vendi më pak i prekur nga rritja e çmimit të naftës.
Në Europë, çmimet në pompë po rriten edhe më shpejtë.
Në Mbretërinë e Bashkuar çmimet në stacionet e karburanteve po rriten e ritme të shpejta, çdo ditë.
“Çmimet e pompave janë rritur në 48 orët e fundit me një mesatare prej 6.7 peni për benzinën dhe 8.8 peni për naftën,” tha Howard Cox, themelues i FairFuelUK.
Në Gjermani të premten në mëngjes, çmimi mesatar kombëtar për naftën u rrit në 2.109 euro për litër, pak më shumë se dy centë më shumë se të enjten në mëngjes. Në fillim të javës, çmimet e naftës u rritën me mbi dhjetë centë nga e hëna në të martë.
Italia është një tjetër vend i prekur nga rritja e çmimit të naftës. Që nga fillimi i luftës në Iran, çmimi i naftës në pompë për qytetarët italianë është rritur me më shumë se 10 cent për litër, ndërsa benzina është rritur me më shumë se 7 cent për litër
“Nafta është tani në nivelet më të larta në dy vjet, ndërsa benzina është rikthyer në nivelet më të larta në tre muaj,” tha shoqata italiane e konsumatorëve.




