Nga vrasja e dy policëve në ’98, te trafiku i drogës, arratisjet nga burgu e pengmarrja e Jan Prengës/ Skeda kriminale e Dritan Rexhepit
Dritan Rexhepi, i arrestuar në Stamboll këtë të premte, është ndër emrat më të përfolur të drejtësisë, ndaj të cilit ishin lëshuar tre ‘alarme të kuqe’nga Inerpol.
Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.
Deri në vitin 2014, Dritani ishte në top listën e 10 më të kërkuarve nga Interpol Tirana. Një personazh i njohur jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga ajo italiane, belge, holandeze e spanjolle, ku Dritan Rexhepi ka shënuar disa rekorde sa i përket ngjarjeve kriminale.
Në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Në këtë kohë ai u konsiderua nga Policia shqiptare si vrasësi i parë me pagesë.
Mediat spanjolle u hapën me një kryeartikull në korrikun e vitit 2011, ku e cilësonin Dritan Rexhepin “mbret” të arratisjeve. Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës. Policia vendase u trondit nga mënyra se si kryenin grabitjet e bankave shqiptarët, ndërsa i etiketoi si “grabitësit që nuk linin gjurmë”.
Pas arrestimit, Rexhepi u ekstradua në Belgjikë, ku kërkohej për trafik të lëndëve narkotike. Por nuk qëndroi më shumë se dy muaj në qeli, pasi në tetor të vitit 2011, ai u arratis nga burgu, bashkë me një tjetër të dënuar. Por kjo nuk ishte arratisja e parë e tij, ndaj edhe cilësohej si mjeshtër i arratisjeve.
Në vitin 2008, ai kishte kryer një tjetër arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Rexhepi kishte marrë makinën e një të moshuare dhe ishte zhdukur, duke bërë që i gjithë personeli i burgut të shkarkohej. Por të njëjtën gjë e kishte bërë edhe në Shqipëri. Pasi u arrestua në hollin e një hoteli në Tiranë me dy pistoleta në brez, në vitin 2006, Rexhepi u arratis nga komisariati i Durrësit, pas një ndihmese nga radhët e Policisë, që i lanë derën hapur.
Në qershor të vitit 2014, me identitet tjetër dhe pamje të ndryshuar Dritan Rexhepi mbeti për më shumë se një muaj i paidentifikuar teksa qendronte në qeli. Superoperacionin i Policisë në Quito të Ekuadorit, ku edhe u kapën 278 kilogramëve kokainë, prangosi edhe vlonjatin.
Ishin gjurmët e gishtave ato që zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht Dritan Rexhepi, nga Vlora, në atë kohë 34 vjeç.
Emri itij doli në skenë edhe në vitin 2020, në kohën kur Jan Prenga u mor peng më 17 janar të atij viti në zonën e Kamzës. Ai u dërgua në një resort në Shijak, ku u torturua për vdekje dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Sipas SPAK, pengmarrja e Jan Prengës u porosit nga Dritan Rexhepi dhe Gentjan Doçaj për shkak se vëllai i tij Astrit Prenga kishte vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, në Angli, që ishte trafikuar nga Ekuadori në Angli.
Prokuroria e Posaçme bëri me dije se Dritan Rexhepi, në fund të muajit dhjetor 2019 urdhëroi rrëmbimin e viktimës Jan Prenga. Dritan Rexhepi ishte vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri, në vitin 1998. Që prej atij momenti, Rexhepi nuk u ndal dhe vazhdoi rrugën duke u bërë kryefjalë e kronikës së zezë, jo vetëm në vendin tonë por edhe në mediat e huaja.