Ngjarja e rëndë në Korçë, vajza pësoi infrakt, më pas ndërroi jetë nëna e paralizuar
Një ngjarje e rëndë u raportua ditën e djeshme në lagjen nr. 17, Korçë, ku nënë e bijë u gjetën të pajeta në banesë.
Dy viktimat ishin, vajza 54-vjeçarja Ornela Vangjeli dhe nëna 75-vjeçare Eleni Vangjeli. 75-vjeçarja ishte e paralizuar dhe vajza e saj, me profesion mësuese, kujdesej për të.
Dyshohet se fillimisht ka ndërruar jetë vajza si pasojë e një ataku kardiak, më pas për shkak se nuk mund të lëvizte nga vendi dhe nuk kishte ilaçe në banesë ka ndërruar jetë edhe nëna e saj.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të hapur derën e banesës pasi ishte e kyçur nga brenda. Dyshohet se nënë e bijë kishin 5 ditë që kishin ndërruar jetë, ndërsa dje janë gjetur trupat.
Djali që jeton në Greqi ka ngritur alarmin pasi prej disa ditësh nuk po arrinte të kontaktonte me nënën dhe të motrën. Ai është kthyer në atdhe dhe më pas me ndihmën e zjarrfikësve kanë hapur derën e banesës, ku është përballur dhe me tragjedinë.
“Më datë 01.02.2024, rreth orës 16:42, në lagjen nr. 17, Korçë, në banesë, janë gjetur pa jetë, pa shenja dhune shtetaset E. V., 75 vjeçe dhe vajza e saj O. V., 54 vjeçe. Nga të dhënat e para, rezulton se këto shtetase nuk ju ishin përgjigjur në telefon familjarëve të tyre, prej disa ditësh.
Dera e banesës së tyre është hapur nga shërbimet e zjarrfikësve, pasi ishte e kyçur nga brenda. Paraprakisht dyshohet se këto dy shtetase mund të kenë humbur jetë për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të humbjes së jetës së këtyre shtetaseve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia për ngjarjen ditën e djeshme.