Ngjarja në Babrru, arrestohet në Durrës autori, viktima u g*dit pas një konflikti banal

Policia ka arrestuar në Durrës autorin e dyshuar të vrasjes që ndodhi mbrëmjen e kaluar në zonën e Babrrusë, në periferi të Tiranës. Viktima është 40-vjeçari Hajdar Ismailgeci, i cili u gjet i pajetë në mes të rrugës, me një plagë të thellë thike në trup.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:10 të mbrëmjes së djeshme, pas një konflikti mes dy personave për motive ende të paqarta, por që policia i cilëson si banale.
Sipas burimeve, autori, i cili nuk është identifikuar ende publikisht, ka goditur me thikë viktimën pas një sherri të çastit, duke e lënë atë të vdekur në vend.
Banorët e zonës që dëgjuan zënkën dhe panë trupin e pajetë, njoftuan menjëherë Policinë e Shtetit dhe ambulancën.
Forcat e rendit arritën në vendngjarje brenda pak minutash, ndërsa pas hetimeve paraprake u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i autorit në qytetin e Durrësit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.




