Nikol Merizaj, notarja fierake, shkëlqen në Selanik me tri rekorde kombëtare, por e harruar nga Shqipëria

Prej disa vitesh notarja e lindur ne Fier, Nikol Merizaj jeton dhe përgatitet në Greqi, duke vijuar të jetë notarja më e mirë shqiptare, si mbajtëse e shumë rekordeve. Ajo shkëlqeu edhe në garat e zhvilluara pak ditë më parë në Selanik, me tri rekorde të reja kombëtare.

Megjithatë edhe pse rezultatet janë “top”, notarja është lenë në harresë nga Shqipëria, duke mos u grumbulluar më për të përfaqësuar flamurin kuqezi. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Merizaj flet për përgatitjet dhe rezultatet e saj, ndërsa shpreh zhgënjimin për mungesën e mbështetjes. 26-vjeçarja komenton edhe aktualitetin e sportit të notit në Shqipëri, teksa thotë se situata vjen çdo vit e duke u përkeqësuar.
Nikol, si shkojnë përgatitjet dhe si do t’i komentoni rezultatet e arritura në garat e disa ditëve më parë në Selanik?
Stërvitja ka filluar që në muajin shtator dhe çdo muaj që kalon intensiteti rritet. Nuk mund ta mohoj se çdo ditë ka vështirësitë e veta në lidhje me lodhjen dhe menaxhimin e orareve të palestrës, stërvitjes dhe rikuperimit. Për sa u përket rezultateve të regjistruara në garat e fundit, bëhet fjalë për rekorde kombëtare dhe jam shumë e kënaqur.
Ndonëse jeni notarja me rezultatet më të larta, ju nuk garoni më për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Çfarë ka ndodhur?

Unë jam notarja më e mirë shqiptare që prej vitit 2014, pra prej një dekadë tashmë. Jam mbajtësja e më shumë rekordeve kombëtare, gjithashtu e para notare në histori që arrin normat kualifikuese për kampionatet botërore dhe jo falë ftesave.
Është e vërtetë që u bë pak kohë që nuk po marr pjesë për vendin tim dhe kjo nuk ka ardhur prej mungesës së dëshirës time, pasi unë jo vetëm që edhe në shtet të huaj përfaqësoj flamurin kuqezi, por në Shqipëri nuk kam as konkurrencë. Të gjitha organet kompetente duhet të ndjehen krenare që me këto rezultate noti renditet në top-15 të Europës edhe pse nuk kanë ardhur me mbështetje prej tyre, pasi përkrahja ka qenë inekzistente. Gjithsesi unë punoj çdo ditë që të përmirësohem dhe të arrij edhe më lart.
Cilat janë planet dhe objektivat që i keni vendosur vetes?
Planet dhe objektivat pas arritjes së normës kualifikuese për Kampionatin Botëror në Singapor në korrik, i gjithë fokusi im do të jetë në këto gara. Shpresoj shumë që të kem mbështetje gjatë këtyre muajsh përgatitje deri në Kampionatin Botëror.
Si e komentoni aktualitetin në notin shqiptar?
Aktualiteti i notit në vend le shumë për të dëshiruar, mos të them se çdo vit edhe situata përkeqësohet. Infrastruktura e dobët dhe mbështetja nga organet kompetente është e papërfillshme dhe kjo gjë çon në mos zhvillim të brezave të rinj.
Mos të flasim pastaj për arritjet e normave botërore ose olimpike… Megjithatë i shpreh mbështetjen time çdo sportisti në sportin e notit, pasi e kuptoj shumë mirë lodhjen dhe sakrificën e tyre.