Nis ceremonia e “të premtes së madhe”, Epitafi po del nga kisha “Shën Gjergji” në Fier

Në Fier është zhvilluar sot ceremonia e shenjtë e ‘Të Premtes së Madhe’ në Kishën Ortodokse, ku qindra qytetarë janë mbledhur për të ndjekur një nga ritualet më të rëndësishme të javës së Pashkës.
Shërbesa solemne nisi në orën 18:00 dhe u udhëhoq nga, Hirësia e tij, Imzot Nikolla, ndërsa besimtarët morën pjesë me përkushtim në këtë moment të shenjtë. Kulmi i ceremonisë ishte nxjerrja e Epitafit nga kisha e Shën Gjergjit, i cili u shoqërua në mënyrë simbolike në rrugët kryesore të qytetit, për t’u rikthyer më pas në kishë.
Ky rit përfaqëson varrosjen e Jezu Krishtit dhe është një nga momentet më të ndjera për besimtarët ortodoksë, të cilët çdo vit marrin pjesë me devotshmëri në këtë traditë të lashtë.
Ceremonia kaloi në qetësi dhe me respekt të plotë ndaj simbolikës dhe shpirtit të saj, duke dëshmuar edhe një herë vlerat e besimit, bashkimit dhe traditës në qytetin e Fierit.