Nis verifikimi i dëmeve nga zjarret në Fier, 14 ndërtesa të djegura dhe mijëra rrënjë ullinj të shkatërruara
Fier – Ka nisur procesi i verifikimit dhe evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret që përfshinë disa fshatra të tre njësive administrative të Bashkisë Fier.
Tre komisione verifikimi kanë nisur punën në terren për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga flakët, ndërsa faza e parë, ajo që lidhet me banesat dhe objektet e prekura, tashmë ka përfunduar.
Nga verifikimet rezulton se 14 ndërtesa janë djegur, ku pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara janë depo, stalla dhe ndërtesa ndihmëse.
Pas përfundimit të këtij procesi, grupet e punës kanë nisur verifikimin e dëmeve në bujqësi, ku bilanci paraprak paraqitet shumë më i rëndë.
Nënkryetari i Bashkisë Fier, Nusret Avdullai, ka deklaruar se fermerët e prekur nga zjarret do të duhet të plotësojnë një formular vetëdeklarimi për dëmet e pësuara. Më pas, komisionet do të kryejnë verifikimet në terren për të krahasuar deklarimet me situatën reale.

Për të dokumentuar dëmet, fermerët duhet të paraqesin gjithashtu certifikatën e pronësisë ose kontratën e qirasë së tokës ku ndodheshin kulturat bujqësore të dëmtuara.
Sipas Bashkisë Fier, dëmet në sektorin e bujqësisë përllogariten paraprakisht në qindra milionë lekë, ndërsa vlera përfundimtare pritet të përcaktohet pas përfundimit të të gjitha verifikimeve.
Për kompensimin e fermerëve të prekur, Bashkia Fier pritet të kërkojë mbështetje nga Ministria e Bujqësisë dhe strukturat e Emergjencave Civile, me qëllim që dëmet e shkaktuara nga zjarret të kompensohen financiarisht.
Dëmet më të mëdha janë evidentuar në ullishta, vreshta dhe pemë frutore. Zjarret kanë përfshirë kryesisht zona kodrinore, ku ndodhen sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj dhe vreshta.
Nga bilanci paraprak dyshohet se janë djegur dhjetëra mijëra rrënjë ullinj, ndërsa janë shkatërruar gjithashtu sipërfaqe me vreshta dhe dru frutorë.
Ndër zonat më të prekura janë Radostina dhe Levan, ku zjarret kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte.
Procesi i verifikimit do të vijojë në ditët në vazhdim, me qëllim përcaktimin e saktë të sipërfaqeve të dëmtuara, numrit të fermerëve të prekur dhe vlerës totale të dëmeve.
Pas përfundimit të evidentimit, të dhënat do t’u përcillen institucioneve përgjegjëse për të vlerësuar mundësinë e dëmshpërblimit të fermerëve dhe familjeve të prekura nga zjarret.




