Nisën ta ndiqnin që nga rrethrrotullimi i Levanit/ Detaje të reja nga vrasja e Kristian Markut, autorët mund të jenë larguar jashtë vendit
Policia e Shtetit i ka shtrirë hetimet për vrasjen e Kristian Markut, alias Kristi Bardhi, ngjarje që ndodhi 13 janar në autostradën Fier-Vlorë, edhe jashtë vendit.
Grupi hetimor ka kërkuar informacion nga Interpol për persona të dyshuar si të përfshirë në këtë vrasje.
Një prej vendeve me të cilat po punohet për të identifikuar autorët e këtij krimi të rëndë, apo persona që mund të jenë të përfshirë, është edhe Kosova ku po punohet intensivisht.
Policia ka dyshime se autorët e kësaj vrasje kanë arritur të dalin jashtë vendit.
Për sa i përket autorëve, grupi hetimor dyshon se kanë qenë dy automjete që kanë nisur ndjekjen e Kristian Markut, një që ka shërbyer për ekzekutimin e 30-vjeçarit, dhe më pas është djegur, ndërsa një automjet i dytë dyshohet nga hetuesit se ka qenë duke lëvizur nga Fieri për në Vlorë dhe ka marrë ekzekutorët pasi kanë djegur makinën.
Hetuesit dyshojnë se ndjekja e makinës së Kristian Markut ka nisur që në afërsi të rrethrrotullimit të Levanit, për ta ekzekutuar më pas pranë nënkalimit të Novoseles.
Viktima natën e ngjarjes është nisur nga Tirana, me një makinë që kishte marrë me qira, çka ngre dyshimet tek grupi hetimor se edhe në kryeqytet është mbajtur nën vëzhgim për lëvizjet e tij.