“Një dritë në ditët e errëta të Shqipërisë”, mediat e huaja shkruajnë për ndarjen nga jeta të Ismail Kadaresë
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar për ndarjen nga jeta në moshën 88-vjeçare të gjeniut të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Yahoo News shkruan se romancieri Ismail Kadare, i cili ka vdekur në moshën 88-vjeçare, përdori stilolapsin e tij si një ‘armë’ për t’i mbijetuar diktatorit komunist paranojak të Shqipërisë Enver Hoxha.
Tregimi i tij i sofistikuar — shpesh i krahasuar me atë të George Oruell ose Franz Kafka — përdori metaforë dhe ironi për të zbuluar natyrën e tiranisë nën Hoxhën, i cili sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri në vdekjen e tij në 1985. “Kohët e errëta sjellin surpriza të pakëndshme, por të bukura”, tha Kadare për AFP.
“Letërsia ka prodhuar shpesh vepra madhështore në epokat e errëta, sikur të kërkonte të korrigjonte fatkeqësinë që u është shkaktuar njerëzve”, tha ai.
Ai shpesh u nominua të fitonte një çmim Nobel për punën e tij të madhe, e cila kishte të bënte me mitet dhe historinë e vendit të tij për të zbërthyer mekanizmat e totalitarizmit.
Edhe France 24 ka raportuar për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.
“Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1960, ai fitoi fillimisht famë si poet përpara se të botonte romanin e tij të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, një përrallë tragjikomike që më pas u përkthye në dhjetëra gjuhë të tjera.
Romani i tij i dytë, “Përbindëshi”, për banorët e qytetit që jetojnë në një gjendje të përhershme ankthi dhe paranojë pasi një kalë trojan prej druri shfaqet jashtë qytetit, u ndalua.
Romani i tij i vitit 1977 “Dimri i madh”, edhe pse disi i favorshëm për regjimin, zemëroi besimtarët e Hoxhës, të cilët e konsideruan atë jo mjaftueshëm lavdërues dhe kërkuan ekzekutimin e shkrimtarit “borgjez”. Megjithatë, ndërsa disa shkrimtarë dhe artistë të tjerë u burgosën — apo edhe u vranë — nga qeveria, Kadare u kursye”, thuhet në shkrim.
Edhe mediat e tjera ndërkombëtare kanë raportuar për vdekjen e shkrimtarit më të njohur shqiptar, Kadare.
“Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare ndërroi jetë të hënën nga një atak në zemër në moshën 88-vjeçare, i tha AFP-së redaktori i tij dhe një spital i Tiranës.
Mjekët u përpoqën ta ringjallën shkrimtarin kur ai u soll në një spital të Tiranës por ai u deklarua i vdekur në orën 8:40 të mëngjesit me orën lokale, tha spitali. Redaktori dhe botuesi Bujar Hudhri konfirmoi vdekjen e tij”, raportojnë mediet e huaja.