Një e treta e depozitave të individëve nuk kanë asnjë lek; 4.5% zotërojnë gati 60% të të gjitha kursimeve
Individët kanë hapur shumë llogari në banka, por një e treta e tyre janë bosh, dhe 62% kanë shuma më të vogla se 2.5 milionë lekë
Ndërsa një pakicë prej 4.5% e depozituesve zotërojnë gati 60% të kursimeve në banka.
Në fund të vitit 2023, individët në vend kishin të hapura gjithsej 2.66 milionë llogari bankare, sipas të dhënave nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD), të cilat janë të sigurueshme. Në këto llogari bankare kishte gjithsej 1.2 trilionë lekë.
ASD sqaron se numri total i depozituesve është përcaktuar duke mbledhur të dhënat e agreguara të raportuara nga çdo bankë, kështu që një person i cili ka depozita në disa banka është regjistruar disa herë.
Por, pjesa më e madhe e këtyre llogarive janë bosh, pasi kanë një balancë 0 deri në 100 lek. Konkretisht numri i tyre në dhjetor 2023 ishte 898,348, ose rreth 34% e totalit të llogarive bankare që janë hapur nga individët.
Në sistemin bankar ka shumë depozitues të tjerë të vegjël. Sipas ASD-së, janë 1,646,547 depozituesit individë (61.8% e totalit të depozituesve), që kanë depozita që variojnë nga 100 lekë në 2.5 milionë lekë, që është niveli i mbulimit të depozitave nga sigurimi.
Sipas ligjit, Depozituesi në çdo bankë sigurohet në masën 100%, por në çdo rast jo më shumë se 2.5 milionë lekë. Shuma e depozitave që u korrespondon këtyre depozituesve arriti vlerën 509.6 mld lekë, ose 42% e totalit të depozitave të sigurueshme.
Në kontrast, një pakicë e depozituesve zotërojnë pjesën më të madhe të kursimeve në banka. Sipas ASD-së janë 119,623 depozitues individë, kursimet e të cilëve janë më të mëdha sesa 2.5 milionë lekë.
Këta përbëjnë vetëm 4.5% të numrit total të depozituesve, por ndërkohë zotërojnë gati 58% të shumës së depozituar në banka. Në total shuma e depozitave të tyre arriti vlerën 698.6 mld lekë.
Sipas ASD-së, në fund të vitit 2023, vlera e depozitave të sigurueshme që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1,511.2 mld lekë, duke përfaqësuar 94% të totalit të depozitave. Krahasuar me një vit më parë këto depozita u rritën me 6%, ndërsa rritja në vlerë absolute është 86 mld lekë.
Depozitat e sigurueshme përfshijnë depozitat me afat, llogaritë rrjedhëse, llogaritë e kursimit, llogaritë e kartave, llogaritë e përbashkëta dhe produkte të tjera të ngjashme.
Depozitat e sigurueshme të individëve në sistemin bankar më 31 dhjetor 2023 arritën 1,208 mld lekë, dhe përbëjnë pjesën më të madhe të totalit të depozitave të sigurueshme, konkretisht 80% të tyre (norma e ndryshimit vjetor ishte +4%).
Peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme të individëve e zënë depozitat në lekë me 48%, ndjekur nga depozitat në euro, me 46%.