Një pjesë e një sateliti të NASA-s me peshë 600 kg pritet të bjerë në Tokë gjatë mesnatës, rreziku për njerëzit…

Pjesë të një sateliti të NASA-s pritet të rihyjnë në atmosferën e Tokës të martën në mbrëmje, por rreziku që ato të godasin njerëz është i ulët.
Sipas Forcës Hapësinore të SHBA-së, anija kozmike Van Allen Probe A, me peshë rreth 600 kilogramë, pritet të rihyjë në atmosferë rreth mesnatës së sotme. Pjesa më e madhe e saj do të digjet gjatë hyrjes, ndërsa vetëm disa komponentë mund të mbijetojnë dhe të arrijnë në sipërfaqen e Tokës.
Agjencia amerikane thekson se probabiliteti që dikush në Tokë të dëmtohet nga pjesët e satelitit është shumë i vogël, rreth 1 në 4,200. NASA dhe Forca Hapësinore do të vazhdojnë të monitorojnë hyrjen e satelitit dhe të përditësojnë parashikimet.
Sipas ‘The Guardian’, rënia e këtyre pjesëve nga hapësira nuk është një fenomen i rrallë. Sipas vlerësimeve, gjatë një periudhe 40-vjeçare rreth 5,400 ton materiale kanë mbijetuar rihyrjes në atmosferë. Megjithatë, rreziku për njerëzit mbetet shumë i ulët, pasi rreth 71% e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga uji.
Një nga rastet e rralla të goditjes nga pjesët hapësinore ndodhi në vitin 1997, kur Lottie Ëilliams, nga Tulsa në Oklahoma, u godit lehtë në shpatull nga një copë metali teksa po shëtiste në një park. Fragmenti mendohet të ketë qenë pjesë e një rakete Delta që ishte shpërbërë gjatë rihyrjes në atmosferë.
Satelitit Van Allen Probe A u nis më 30 gusht 2012 nga Kepi Canaveral në Florida, së bashku me sondën binjake Van Allen Probe B, në një mision për të studiuar rripat e rrezatimit Van Allen, zona me grimca të ngarkuara që mbahen nga fusha magnetike e Tokës.
Të dy satelitët u çaktivizuan në vitin 2019, pasi u mbaroi karburanti dhe nuk mund të orientoheshin më drejt Diellit. Fillimisht ishte parashikuar që ato të rihynin në atmosferë rreth vitit 2034, por llogaritjet e mëvonshme treguan se Van Allen Probe A do të kthehej shumë më herët. Ndërkohë, sonda e dytë nuk pritet të rihyjë para fundit të kësaj dekade.




