Nuk arriti dot në shtëpi, del FOTO e policit që u përplas për vdekje nga shoferi malazez
Gëzim Lazri, efektiv i Komisariatit të Policisë Mirditë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm si pasojë e një aksidenti rrugor në Rrëshen-Rrubik. Mjeti që ai drejtonte është përplasur nga një mjet tjetër me shofer një shtetas malazez.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07.02 minuta dhe fatkeqësisht, nga përplasja e fortë efektivi 56 vjeçar ka ndërruar jetë.
Gëzim Lazri sapo kishte mbyllur shërbimin dhe po kthehej për në shtëpi, por fatkeqësisht nuk arriti dot. Policia informon paraprakisht se shkak për aksidentin është bërë një parakalim i gabuar nga shoferi malazez, i cili është plagosur dhe vetë dhe ndodhet në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Gëzim Lazri e përshkonte çdo ditë rrugën Rrëshen-Rrubik për të shkuar në punë, por mëngjesi i kësaj të shtune ka qenë tragjik për të. Shoferi malazez me inicialet M.F duke drejtuar automjetin tip “Chevrolet” ka kryer parakalim të gabuar dhe është përplasur me Mercedesin e policit.