Operacioni “Çmontimi” në Berat/ Zbulohen 2 subjekte në Dimal, sekuestrohen 68 automjete të kontrabanduara nga Britania

Policia e Beratit ka finalizuar operacionin e koduar “Çmontimi”, duke goditur dy subjekte në Dimal ku çmontoheshin dhe tregtoheshin pjesë automjetesh të dyshuara si të kontrabanduara, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.
Si rezultat i kontrolleve dhe hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe në koordinim me Prokurorinë e Beratit, u arrestua në flagrancë shtetasi P. D., 30 vjeç, banues në Dimal. Ndërkohë, është shpallur në kërkim shtetasi R. S., 31 vjeç, banues në Kuçovë.
Gjatë kontrolleve në dy subjektet (servise automjetesh dhe njësi për shitje pjesësh), policia gjeti dhe sekuestroi 68 automjete, konkretisht 55 në njërin subjekt dhe 13 në tjetrin, të cilat ishin pjesërisht të çmontuara. Sipas policisë, për këto mjete nuk disponoheshin dokumente blerjeje apo dokumentacion doganor.
Nga hetimet paraprake dyshohet se automjetet janë futur në vend në mënyrë të paligjshme, kryesisht nga Mbretëria e Bashkuar.
Vijon puna për kapjen e shtetasit R. S., ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.




