Operacioni “VORTEX” në Vlorë, arrestohen dy shtetas nga Fieri për trafik droge
Policia e Vlorës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “VORTEX”, duke vënë në pranga dy shtetas nga Fieri, të cilët transportonin lëndë narkotike drejt Vlorës për t’ua shitur shpërndarësve të dozave.
Si rezultat i këtij operacioni, u sekuestruan rreth 3.4 kg kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë tregu rreth 810,000 euro.
Të arrestuarit janë Viktor Jaupaj, 53 vjeç, dhe Kujtim Metaj, 37 vjeç, të dy banues në Fier. Ata u kapën në flagrancë në fshatin Novoselë, në automjetin e tyre, ku u gjetën 400 gramë kokainë. Kontrollet e mëtejshme në banesën e njërit prej tyre në Fier çuan në zbulimin e 2.9 kg kokaine dhe 133 gramë heroine.
Gjithashtu, policia sekuestroi 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin e përdorur për transportin e drogës.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me DVP Fier dhe me mbështetjen e inteligjencës policore.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.