Oscar për filmin ku luan aktorja me origjinë nga Kosova, Luana Bajrami!

“Two People Exchanging Saliva” [Dy njerëz që shkëmbejnë pështymë] u vlerësua me Oscar në kategorinë e Filmit të Shkurtër, në ceremoninë e mbajtur në Los Anxhelos të Shteteve të Bashkuara. Aktorja dhe regjisorja me origjinë nga Kosova, Luana Bajrami e pranoi çmimin bashkë me kolegët.
Kur u përmend origjina e pjesëmarrësve në film, Bajrami u përshkrua si aktore nga Kosova. Filmi u duartrokit edhe për faktin që është realizuar nga një shumicë grash.
25-vjeçarja ka lindur në Kosovë, por familja e saj është shpërngulur në Francë, ku edhe jeton.
Luana interpretoi rolin e Malaises, një gruaje të re në filmin bardhezi, bashkëprodhim mes Francës e Shteteve të Bashkuara.
Realizimi trajton intimitetin dhe konsumizmin në një version distopian të Parisit, ku prekja romantike, veçanërisht puthja, është e ndaluar dhe e dënueshme me vdekje.
Ndërkaq, me të njëjtin çmim u vlerësua edhe “The Singers”, (Këngëtarët), vendim i rrallë në ceremoninë e ndarjes së Oscars-ve, ku Akademia e Arteve e SHBA-ve nderon yjet e kinematografisë botërore.
“One Battle After Another” (Betejë pas beteje), u shpërblye me gjashtë statuja, përfshirë për Filmin më të Mirë. /TAR




