Papa Françesku: Kryepiskopi Anastas ‘ndihmoi në rizbulimin e besimit pas vitesh ateizmi’
Në ditën e varrimit të kryepiskopit ortodoks Anastas Janullatos, Papa Françesku, në një letër, që u lexua gjatë funeralit nga kreu i delegacionit të Vatikanit, kujton takimin e tij me të ndjerin gjatë vizitës në Shqipëri, nënvizon impenimin e tij për të depërtuar në thellësitë e zemrave të atyre, që i ishin besuar, pa e humbur bashkimin me Kishat e tjera Ortodokse, si edhe kontributin në dialogun e në bashkëjetesën paqësore me Kishat dhe fetë e tjera
U kremtua sot (30 janar), në orën 11.00, në Katedralen ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit’ në Tiranë, shërbesa mortore e kryepiskopit Anastas Janullatos, i cili ndërroi jetë në Athinë, në moshën 95 vjeçare. Trupi i kryepiskopit u varros e do të prehet pikërisht në këtë Kishë.
Të pranishëm, personalitete nga e gjithë bota fetare e politike, si Patriku Ekumenik Bartolomeu I, Patriku i Aleksandrisë Theodhoros II, Patriku i Jerusalemit Teofili III, kryepeshkopë nga Kisha ortodokse e Greqisë, ajo e SHBA-ve, e Qipros, përfaqësues nga Mali Athos, nga fe të tjera e, edhe një delegacion nga Vatikani, i kryesuar nga Sekretari i Dikasterit për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve, imzot Flavio Pace.
Letra e Papës, lexuar gjatë funeralit
Pikërisht sot, Papa Françesku i shkruan mitropolitit të Korçës, Hirësisë së tij Joanit, i cili kryen aktualisht funksionet e nevojshme për të çuar përpara jetën e Kishës Ortodokse Shqiptare, derisa të mblidhet Sinodi i saj, i cili, 40 ditë pas vdekjes së kryepiskopit Anastas, do të zgjedhë kreun e ri.
Atij, Sinodit, klerit dhe gjithë besimtarëve ortodoksë, Ati i Shenjtë Françesku u shpreh ngushëllimet për humbjen e kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, duke u siguruar lutjet që Zoti, Ati ynë i mëshirshëm, ta vlerësojë për punën e lodhjen.
“Feja e bashkësisë ortodokse shqiptare – shkruan Papa Françesku, në mesazhin e lexuar gjatë funeralit nga imzot Flavio Pace – sigurisht që u mishërua në jetën e vëllait tonë të dashur, shërbimi baritor i zellshëm i të cilit i ndihmoi njerëzit ta rizbulonin pasurinë dhe bukurinë e saj, pas vitesh ateizmi të imponuar nga shteti dhe pas persekutimit.
Për këtë, ruaj kujtime të bukura nga takimi im me Fortlumturinë e Tij, me rastin e udhëtimit tim të parë apostolik jashtë Italisë, si edhe janë të dashura për mua përqafimi vëllazëror dhe fjalët e shkëmbyera me atë rast.