Pas ekzekutimit të gjyqtarit Astrit Kalaja, rrjeti mbështet autorin: tregues i humbjes së besimit tek drejtësia

Ekzekutimi i gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e Gjykatës së Apelit ka tronditur opinionin publik dhe ka vënë në pikëpyetje sigurinë në institucionet e drejtësisë.
Por më shumë se vetë ngjarja, ajo që ka befasuar është reagimi i qytetarëve në rrjete sociale, ku një pjesë e madhe e tyre kanë mbështetur autorin e krimit, Elvis Shkambi, duke e cilësuar si “njeri që vuri drejtësi me dorë”.
Në vend që të dënojnë dhunën, komentet janë drejtuar kundër sistemit të drejtësisë, i cili shihet si i korruptuar dhe i padrejtë.
“Ky është Avni Rustemi i ditëve tona”, “Gjyqtarët ia kanë sjellë shpirtin në majë të hundës këtij populli”, apo “Të lumtë dora” – janë disa nga komentet që po qarkullojnë masivisht.
Kjo valë reagimesh tregon krizën e thellë të besimit të qytetarëve ndaj institucioneve, ku drejtësia perceptohet si burim padrejtësie dhe jo si garanci ligji.
Sociologët paralajmërojnë se glorifikimi i dhunës si “zgjidhje” është sinjal alarmi për shoqërinë, ndërsa një padrejtësi e sistemit nuk mund të shlyhet me armë./fieriweb.com




