Pas shitblerjes së pronave, bllokimi i Kadastrës po paralizon edhe kredinë bankare
Mbyllja e plotë e sporteleve fizike të kadastrës po krijon probleme të mëdha edhe për sektorin bankar.
Sipas Shoqatës Shqiptare të Bankave, moskryerja e veprimeve të bllokimit të pronave që lihen si kolateral është bërë një faktor me ndikim të rëndësishëm në frenimin e kredisë në dy muajt e fundit.
Sipas analizave të brendshme të bankave, shifrat e disbursimeve po shfaqin rënie të ndjeshme dhe vlerësohet se faktori kryesor është pikërisht bllokimi i veprimeve të Kadastrës.
Burimet bëjnë të ditur se Shoqata e Bankave i është drejtuar Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Kadastrës për të shprehur shqetësimin për këtë situatë dhe për të marrë informacion lidhur me punën që po bëhet për zgjidhjen e problemeve. Por, deri tani, titullarja e Kadastrës nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Pjesa më e madhe e kredisë bankare është e garantuar me kolataral në formën e pasurive të paluajtshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2022 pronat mbulonin 60% të portofolit të kredisë në valutë të huaj dhe 52% të portofolit të kredisë në lekë.
Përdorimi i pasurive të paluajtshme si kolateral është më i lartë te individët, ku pronat garantojnë 72% të kredive në valutë dhe 55% të kredive në lekë. Për bizneset, pasuritë e paluajtshme mbulojnë 70% të kredisë në valutë dhe 48% të kredisë në lekë.
Në rastet kur kredia do të garantohet me kolateral në formën e pasurisë së paluajtshme, klienti është i detyruar të pranojë vendosjen e barrës hipotekore mbi pronën në favor të bankës. Vendosja e hipotekës ligjore mbi pasuritë e paluajtshme është një veprim që duhet regjistruar në kartelën kadastrale të pronës, pranë drejtorive vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Qeveria shqiptare vendosi mbylljen e të gjitha sporteleve fizike të kadastrës shtetërore që prej datës 3 korrik të këtij viti dhe ofrimin e të gjitha shërbimeve të kësaj agjencie ekskluzivisht online, nëpërmjet portalit e-albania.
Por, dixhitalizimi i plotë i shërbimit të Kadastrës ka krijuar vonesa të mëdha në kohën e marrjes së këtyre shërbimeve, në mos bllokim të mirëfilltë të marrjes së tyre. Kjo situatë po krijon pasoja serioze për qytetarët dhe ekonominë.
Tregu i pasurive të paluajtshme në vitet e fundit është ndër kontribuesit kryesorë të rritjes së ekonomike dhe bllokimi i shërbimeve të Kadastrës faktikisht e paralizon tregun dhe e bën të pamundur regjistrimin e kontratave të shtiblerjes, por edhe të kontratatve të tjera të lidhura me pasuritë e paluajtshme, përveçse marrjen e shërbimeve të tjera kadastrale për qytetarët.
Por, efektet e kësaj situate tashmë po shtrihen edhe në sektorë të lidhur të ekonomisë, siç është sektori bankar. Sipas vrojtimeve periodike të Bankës së Shqipërisë, afërsisht gjysma e pronave shiten me kredi bankare.
Deri në mesin e këtij viti, ecuria e kredisë bankare shfaqte një ecuri pozitive, pavarësisht rritjes së normave të interesit. Për gjashtë muajt e parë të vitit, sektori bankar dha 139.6 miliardë lekë, në rritje me 2.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shifrat tregojnë se ecuria e kredisë këtë vit po shfaqet më e mirë se pritshmëritë.
Rritja e shpejtë e normave të interesit vitin e kaluar besohej se do të kishte një efekt në frenimin e kreditimit për ekonominë, por deri tani ky efekt ka qenë vetëm i pjesshëm. Një ndikim në vijimësinë e kreditimit duket të ketë pasur ngadalësimi i procesit të normalizimit monetar nga Banka e Shqipërisë. Por, kreditimi rrezikon të pësojë një frenim artificial, për shkak të bllokimit të shërbimeve të Kadastrës.
Bllokohen dhe shit-blerjet e pronave
Mbyllja e çdo sporteli të kadastrës shtetërore prej 3 Korrikut dhe ofrimi i shërbimit vetëm online nëpërmjet e-Albania ka shkaktuar probleme për përfundimin e transaksioneve të shit-blerjes së pronave.
Agjentët imobiliarë të shitjeve të pronave kanë ngritur më herët për “Monitor” shqetësimin e bllokimit të veprimtarisë së tyre në përfundimin e transaksioneve të shitjes dhe blerjes. Dritan Leka nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM Smart” tha se reforma e dixhitalizimit ka sjellë që një aplikim për shitje pronë në Tiranë të shfaqet në sistemin e kadastrës së një qyteti tjetër, të cilët nuk janë në gjendje të përpunojnë të dhënat për Tiranën, duke krijuar shumë shqetësime.
I pyetur për situatën e krijuar Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) tha për Monitor se nuk kemi të bëjmë me bllokim të procesit, por vetëm me vonesa.
Sipas AKSHI-t vonesat vijnë pasi nuk janë të gjitha të dhënat të dixhitalizuara, proces që do të përfundojë me reformën. AKSHI tha se vonesat do të fillojnë të eliminohen në ditët në vijim. MONITOR