Patos – Bizneset në fshatin “Ofiçinë e Vjetër” paralajmërojnë falimentimin për shkak të ndërprerjeve të energjisë
Fshati “Ofiçinë e Vjetër” në bashkinë Patos është bërë epiqendra e shqetësimit të banorëve dhe pronarëve të bizneseve të vogla, të cilët dolën në protestë për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike. Ata paralajmërojnë se situata po i çon drejt falimentimit.
“Jemi 30 familje dhe 11 biznese që furnizohemi nga linjat e naftës. Pavarësisht se paguajmë rregullisht taksat, ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë po ndalojnë aktivitetin tonë dhe po shkaktojnë humbje të mëdha financiare,” thonë pronarët.
Biznese të ndryshme të zonës, përfshirë dyqane mishi, furra buke, markete, lavazho dhe fabrika vaji, po përballen me ndërprerje të aktivitetit dhe dëme të konsiderueshme. Banorët shprehen se kanë financuar edhe vetë riparimet e difekteve, por problemi mbetet i pazgjidhur.
“Ne nuk dimë ku të ankohemi. Kërkojmë një zgjidhje të shpejtë ose të jemi të shkëputur nga linjat aktuale të energjisë,” thonë ata, duke apeluar për ndërhyrje të menjëhershme.
Ndërkohë, burime nga kompania “Albpetrol” bëjnë të ditur se ndërprerjet kanë ndodhur për shkak të proceseve teknologjike që kompania kryen dhe mohojnë se ndërprerjet janë të shpeshta. Sipas të njëjtave burime, Albpetrol është në tratativa me OSHE-në për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për banorët dhe bizneset që furnizohen nga linjat e naftës.




