PATOS/ Dëgjesa publike për Reformën Territoriale, banorët kundër bashkimit me Fierin
Sheshi i Patosit është mbushur me banorë gjatë dëgjesës publike për Reformën Administrativo-Territoriale. Dhjetëra qytetarë kanë marrë pjesë në takim, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier.
Në dëgjesën publike ka folur kryetari i Bashkisë Patos, Fation Duro, këshilltarë bashkiakë, si edhe dhjetëra banorë të qytetit.
Gjatë diskutimeve, qytetarët kanë kundërshtuar ndryshimin e propozuar të hartës territoriale dhe kanë kërkuar që Patosi të vijojë të jetë bashki më vete.
Banorët kanë theksuar se vendimmarrja për të ardhmen e Patosit duhet të marrë në konsideratë edhe vullnetin e komunitetit, ndërsa takimi është shoqëruar me diskutime dhe qëndrime të forta kundër bashkimit me Fierin.
Dëgjesa publike është pjesë e procesit të konsultimit për Reformën Territoriale, ku qytetarët dhe përfaqësuesit vendorë po paraqesin qëndrimet e tyre mbi propozimet për ndarjen e re administrativo-territoriale.




