PD prezanton planin ekonomik, Tabaku: Pension mesatar 400€, pagë mesatare 1,200€

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka denoncuar situatën e vështirë ekonomike që po përballen qytetarët shqiptarë, veçanërisht pensionistët, duke theksuar se mbi 800 mijë të moshuar jetojnë në varësi të politikave të qeverisë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se rritja e çmimeve, taksat e larta dhe monopoli ekonomik kanë rënduar ndjeshëm mbi qytetarët, duke e bërë jetesën gjithnjë e më të vështirë. Ajo kritikoi qeverinë për mungesën e politikave afatgjata dhe deklaroi se rritja e pagave dhe pensioneve nuk duhet të jetë një masë e përkohshme në prag zgjedhjesh, por një politikë e vazhdueshme për të garantuar mirëqenien e qytetarëve.
Si zgjidhje, Tabaku prezantoi planin ekonomik të Partisë Demokratike, i cili sipas saj do të vihet në zbatim pas 11 majit. Pikat kryesore të këtij plani përfshijnë:
• Vendosjen e minimumit jetik prej 200€
• Rritjen e pensionit mesatar në 400€
• Rritjen e pagës mesatare në 1,200€
“Zgjidhjet nuk vijnë brenda një dite, por me vullnet politik dhe një vizion të qartë mund të ndërtojmë një ekonomi më të drejtë dhe konkurruese,” deklaroi Tabaku.
Sipas saj, ky plan nuk është thjesht një premtim elektoral, por një strategji e detajuar për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe përmirësuar jetesën e qytetarëve.
