PD protestë para Kuvendit, 1500 efektivë policie në terren
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të enjte në orën 10:00 në seancë plenare, ku pritet të shqyrtohet kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, përmes zëvendësimit të masës së sigurimit.
Sipas rendit të ditës, kjo çështje do të jetë ndër pikat kryesore të seancës dhe pritet të shoqërohet me debate dhe tensione politike. Para prezantimit të raporteve të përgatitura nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, pritet që vetë deputetja Belinda Balluku të marrë fjalën në seancë.
Më pas, përfaqësuesit e opozitës do të paraqesin raportin e hartuar nga anëtarët e tyre në Këshillin e Mandateve, ndërsa edhe shumica parlamentare do të paraqesë qëndrimin e saj. Në përfundim të diskutimeve, çështja do të hidhet për votim në Kuvend.
Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar protestë para godinës së Kuvendit, në të njëjtën kohë kur në seancë pritet të votohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste.
Në rendin e ditës së seancës plenare janë përfshirë edhe disa çështje të tjera, mes tyre projektligji për aderimin e Shqipërisë në Konventën e Metrit, si dhe ratifikimi i marrëveshjes së huas për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës. Gjithashtu do të shqyrtohen edhe disa projektvendime që lidhen me përbërjen e komisioneve parlamentare.
Seanca pritet të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.




