Përfundon ekspertiza, policia nxjerr nga lokali trupin e pajetë të Alfred Dedjas që u vra në Ndroq
Pas afro tre orësh ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore në lokalin ku u vra Alfred Dedja pasditen e kësaj të diele në Ndroq të Tiranës.
Ndërkaq të tjera detaje mësohen për ekzekutimin, ku si autor i dyshuar është shpallur nga Policia e Shtetit shtetasi Julian Gjoshi nga Shijaku.
Mësohet se 26-vjeçari Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit, emër i njohur i botës së krimit, i njohur edhe për lidhjen me ish-deputetin Jurgis Çyrbja.
Emri i Julian Gjoshit ka dalë në aplikacionin e koduar “SKY ECC” kur Altin Hajri diskutonte me ish-deputetin Jurgis Çyrbja për arrestimin e tij në vitin 2021 në Tiranë.
Pista kryesore që po hetohet është ajo e konflikteve mes autorit dhe viktimës. Autori mësohet se ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar menjëherë mbi viktimën Dedja.
Viktima Alfred Dedja banonte shumë pranë vendit ku ndodhi krimi. Në lokal në ato momente ka pasur edhe klientë, që janë tmerruar nga ngjarja. Ata janë çuar nga karriget dhe janë larguar me vrap.
Viktima mësohet se jetonte në Itali dhe njihej edhe me pseudonimin “Daku”.