Përfundon numërimi i votave në Rogozhinë! Edison Memolla i PS fiton bindshëm ndaj kandidatit të Bashkë Fitojmë
Edison Memolla i Partisë Socialiste fiton sërish zgjedhjet në Rrogozhinë.
Janë numëruar 54 qendrat e votimit ku në rezultat prin Edison Memolla i PS me 1.752 vota më shumë se kandidati i koalicionit Meta-Berisha.
Edison Memolla PS ka 6658 vota (57.58%)
Shkëlqim Hoxha BF 4906 vota (42.42 %)
Votimi i të dielës u mbyll në orën 19:00 dhe pjesëmarrja ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit ndërsa mbarëvajtja e procesit ishte e qetë, pa incidente. 11825 shprehën vullnetin e tyre me votë, mes tyre 258 vota u shpallën të pavlefshme.
Zgjedhjet në bashkinë e Rrogozhinës u vendos të ripërsëriteshin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm.
Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve ishte vetëm 21 vota, teksa të burgosur numëroheshin më shumë se 100. Ndryshe nga 14 maji, të burgosurit nuk u lejuan të votojnë dje për shkak të afateve kohore.
Kandidatët në garë ishin po të njëjtët si në 14 maj, Edison Memollaj nga Partia Socialiste dhe Shkëlqim Hoxha nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Në zgjedhjet e 14 majit, në Rrogozhinë morën pjesë në votime rreth 11 mijë votues. Edison Memolla fitoi me 5129 vota përkundrejt 5108 vota të Shkëlqim Hoxhës, me vetëm 21 vota diferencë.