Përkeqësohet gjendja shëndetësore e grevistëve në Marinzë, 72 orë pa ushqim
MARINZË – Disa prej grevistëve që prej tre ditësh ndodhen në grevë urie në zyrat e sindikatës në Marinzë, janë raportuar me probleme shëndetësore. Pas njoftimeve për shqetësimet e para, në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë për të monitoruar nga afër gjendjen e tyre.
Sipas kreut të sindikatës, Dritan Shahu, disa prej grevistëve kanë shfaqur tension të lartë, lodhje, dhimbje koke dhe marramendje, si pasojë e mungesës së ushqimit për më shumë se 72 orë.
Grevistët Dritan Rrapushi, Edurt Selami dhe Bledar Dano kanë deklaruar se ndonëse gjendja e tyre është përkeqësuar, janë të vendosur ta çojnë protestën deri në fund.
Ndërkohë, punonjësit e kompanisë “Bankers Petroleum” vijojnë pezullimin e punës dhe qëndrojnë pranë zyrave të sindikatës në mbështetje të grevistëve.
Deri më tani kompania nuk ka dhënë asnjë reagim zyrtar, ndërsa puset e naftës vazhdojnë punën pa mbikëqyrjen e punonjësve. Në vendngjarje kanë mbërritur përfaqësues të Inspektoriatit të Punës dhe policia, të cilët po ndjekin nga afër zhvillimet.




