Përplasja për pagat e gjyqtarëve shkon në SPAK, reagon ministri Malaj: Ja sa kërkojnë

Pas kallëzimit penal të depozituar në SPAK ndaj ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit, ministri ka reaguar lidhur me përplasjen për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave në vend, së bashku me drejtuesit e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, kanë depozituar më 8 shtator kallëzimin penal në SPAK. Ata kërkojnë hetimin e ministrit Malaj, Gentian Kërit dhe përgjegjësve të degëve të Thesarit, duke i akuzuar për bllokimin e pagave për muajin gusht.
Në reagimin e tij, Malaj e cilëson situatën si një përshkallëzim të konfliktit mes pushtetit gjyqësor dhe ekzekutivit, ndërsa këmbëngul se Ministria e Financave ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”, shkruan Malaj.
Sipas ministrit, pagesat shtesë të kërkuara nga gjyqtarët dhe prokurorët nuk mund të ekzekutohen pa një vendim të ri të Parlamentit.
“Ne kemi refuzuar të hapim dyert e thesarit të shtetit për të nxjerrë që aty pa vendim të Parlamentit një volum të konsiderueshëm parash, si shtesë rroge për gjyqtarët dhe prokurorët”, shprehet ai.
Malaj thotë se qeveria dhe përfaqësues të Parlamentit kanë deklaruar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve nuk do të pengohet.
Sipas tij, çështja pritet të adresohet më 17 shtator, kur parashikohet miratimi i një ligji që do t’i japë Ministrisë së Financave kompetencat administrative për ndërmarrjen e veprimeve përkatëse.
“Askush nuk do të pengojë adresimin e çështjes së pagave sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të ndodhë më 17 shtator, kur të miratohet ligji që i jep Ministrisë së Financave të drejtën administrative të veprimit”, deklaron ministri.
Malaj ka bërë publike edhe shifrat që, sipas tij, lidhen me kërkesat për pagat e magjistratëve.
Për një gjyqtar të Shkallës së Parë, sipas të dhënave të publikuara nga ministri, paga aktuale është 376,381 lekë, ndërsa kërkohet 567,421 lekë.
Për një gjyqtar të Shkallës së Dytë, paga aktuale është 388,927 lekë, ndërsa kërkesa është 586,335 lekë.
Ndërsa për gjyqtarët e Grupit III në GJKKO, paga aktuale është 659,920 lekë dhe kërkohet të shkojë në 994,877 lekë.
Sipas Malajt, efekti i këtyre kërkesave në buxhetin e shtetit do të ishte rreth 40 milionë euro shtesë çdo vit.
Ministri thotë gjithashtu se magjistratët kërkojnë rishikimin e pagave për periudhën 2023-2026, me një efekt të pretenduar në buxhet prej rreth 125 milionë eurosh.
Në përfundim, Malaj u ka bërë thirrje drejtuesve të degëve të Thesarit dhe sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Financave që të vijojnë punën pa u intimiduar dhe të zbatojnë me rigorozitet ligjin në administrimin e financave publike.




