Petro Koçi: Vetëvendosjes i djeg protesta pro Thaçit, djallëzi kundër UÇK-së

Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimit të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me protestën mbarëkombëtare që do të zhvillohet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Koçi e ka cilësuar reagimin e Vetëvendosjes si një veprim “të djallëzuar” kundër UÇK-së dhe protagonistëve të saj, duke akuzuar këtë forcë politike për përçarje dhe xhelozi politike.
Në një shkrim të gjatë, Petro Koçi shprehet:
“Reagimi i paprovokuar i Vetëvendosjes ndaj protestës mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, që do të zhvillohet në Tiranë, në dukje mund të duket si një marrëzi, por në të vërtetë është një djallëzi e mirëllogaritur kundër UÇK-së dhe protagonistëve të saj.
E mbetur pa ‘gjueti’ politike si ajo e Ballkanit të Hapur, Vetëvendosja kërkon të fusë hundët dhe të mbjellë përçarje aty ku të mundet. Ky qëllim në nivel poshtërsie antishqiptare u zbulua më qartë se çdo insinuatë tjetër nga sulmi i paarsyeshëm ndaj Kryeministrit të Shqipërisë, i cili në rastin e mbështetjes së hapur ndaj protestës nuk përmendi dhe as nënkuptoi askund Albin Kurtin.
Pse ndihet e provokuar Vetëvendosja nga një protestë që mbështet Hashim Thaçin?
A nuk është marrëzi dhe poshtërsí të sabotosh një protestë pro Thaçit me arsyetimin se ai dhe të tjerët si ai kanë votuar dikur ngritjen e Gjykatës Speciale?
Ku është shkruar që nëse voton ngritjen e një institucioni, nuk ke më të drejtë të protestosh kundër tij, nëse ai organ të zhgënjen dhe nuk përmbush pritshmëritë?
Deklarata e Vetëvendosjes është shenjë paburrërie dhe frike. Është djallëzi dhe përçarje. Është shpirtvogëlsi dhe xhelozi mjerane. Vetëvendosja nuk mund ta bëjë dot historinë që shkroi me gjak UÇK-ja.
Nacionalizmi populist i Vetëvendosjes deri tani i ka shërbyer vetëm qëllimeve elektorale të Albin Kurtit në Kosovë dhe të Vuçiçit në Serbi.
Dështimet flagrante të Kurtit në politikën e jashtme, që për një kohë u maskuan me histerinë kundër Ballkanit të Hapur, tashmë nuk pinë më ujë — sidomos pas sulmit politik ndaj mbështetësve të udhëheqjes së burgosur të UÇK-së dhe ndaj Edi Ramës.
Populizmi i pashpirt doli lakuriq.
Lojës ‘armiqësore’ për vota të çiftit Albin–Vuçiç po i vjen fundi.
Thirrja e Vetëvendosjes për të sabotuar protestën është e destinuar të dështojë.”
Koçi thekson se Vetëvendosja po e përdor nacionalizmin si mjet elektoral, ndërsa fton shqiptarët të mos bien pre e përçarjeve politike që, sipas tij, i shërbejnë vetëm kundërshtarëve të çështjes kombëtare.




