Pezullohet drejtori i Policisë së Vlorës pas raportimit të gabuar për protestën në Zvërnec

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Elidon Çela, pas raportimit të pasaktë të bërë nga policia lidhur me protestën e zhvilluar këtë të premte në zonën e Zvërnecit.
Sipas një reagimi zyrtar të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë raportoi gabimisht se një qytetar ishte futur me forcë brenda rrethimit të kantierit ku po zhvilloheshin protestat kundër projektit turistik në Zvërnec. Më pas u sqarua se ky pretendim nuk qëndronte dhe se qytetari nuk kishte hyrë me forcë në zonën e rrethuar.
Në deklaratën e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkoi ndjesë publike për pasaktësinë e raportimit, duke theksuar se besimi i publikut është vlera më e rëndësishme për institucionin dhe se çdo cenim i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Në këto rrethana, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka sqaruar se territori ku po zhvillohet projekti rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor dhe me autorizimet ligjore përkatëse për rrethimin e zonës.
Në të njëjtën deklaratë, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kundërshtojnë projektin që pretendimet e tyre mbi pronësinë apo zhvillimin e saj t’i adresojnë në rrugë gjyqësore.
“Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor”, thuhet më tej në njoftim.
Vendimi për pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës vjen pas reagimeve të shumta publike dhe publikimit të pamjeve nga protesta në Zvërnec, ku u ngritën pikëpyetje mbi mënyrën e ndërhyrjes së forcave të rendit dhe raportimin zyrtar të ngjarjes.
Njoftimi i Plotë:
Reagim i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon ndjesë publike për raportimin e gabuar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, lidhur me qytetarin, që në fakt nuk është futur me forcë brenda rrethimit të kantierit, sikundër është raportuar.
Në këto rrethana dhe pavarësisht se në të gjithë pjesën tjetër komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë është korrekte, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë. Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.
Ndërsa lidhur me pretendimet e protestës në fjalë, bëjmë me dije se janë ndjekur me vëmendje dhe territori i rrethuar rezulton pronë tërësisht private, me dokument të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin.
Prandaj përfitojmë nga rasti që t’u drejtohemi edhe qytetarëve që protestojnë, duke nënvizuar se çdo pretendim mbi një pronë private apo zhvillimin e saj, adresohet në Gjykatë.
Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.




