Plagosi 3 persona në lokalin e ‘VIP’-ave në Tiranë, arrestohet pas një muaji në arrati Edison Elezaj, djali i pronarit të ‘Lajthizës’
Pas rreth një muaji në arrati, Edison Elezaj, djali i pronarit të ujit ‘Lajthiza’, është arrestuar nga forcat Operacionale. 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi la të plagosur tre persona në një festë më 28 korrik.
Djali i biznesmenit Hajri Elezaj ishte në një festë të një prej restoranteve më luksoze “Savoy Garden” në rrugën e Kavajës, brenda kompleksit të banimit “Deligjorgji” në Tiranë. Gjatë festës, Edison Elezaj ka plagosur me armë 3 familjarët, një vajzë 36 vjeç binjake me vëllanë e saj, si edhe vëllanë e tyre të vogël.
Pas plagosjes, i riu është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ka rënë në pranga vetëm ditën e sotme, 25 shtator 2024. Ndaj tij rëndon akuza plagosje e rëndë me dashje.
Ndërkohë, për këtë ngjarje policia ka arrestuar më herët dy persona të tjerë, pasi i morën armën djalit të biznesmenit dhe e fshehën për të penguar zbulimin e së vërtetës. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë në restorant, policia arriti të gjejë armën dhe të identifikojë personat që e morën atë pas të shtënave, Arjan Dushaj, 38 vjeç, dhe Dardan Zalli, 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Festa zhvillohej në “Savoy Garden” një nga restorantet me luks në Tiranë, i cili frekuentohet nga shumë personazhe VIP. Ai është hapur në vitin 2022, dhe sipas regjistrit tregtar është në bashkëpronësi nga Elira Ndreaj me 51% të aksioneve dhe nga Ermir Ndreaj me 41% të aksioneve.