Plagosje e rëndë në Sarandë, arrestohet njëri nga autorët, vijon kërkimi për tjetrin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Sarandë, ku një 52-vjeçar është dhunuar rëndë nga dy persona, xhaxha dhe nip. Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, njëri prej autorëve është arrestuar, ndërsa tjetri është ende në kërkim.
Ngjarja ka ndodhur më 21 shkurt 2025, rreth orës 16:10, në lagjen nr. 3, në vendin e quajtur “Rruga për në Heremec”. Dy autorët, D. M., 37 vjeç, dhe M. M., 29 vjeç, dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grushte, shkelma dhe sende të forta shtetasin S. Ç., 52 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.
Pas veprimeve të shpejta hetimore, policia lokalizoi dhe arrestoi në një banesë në fshatin Lukovë 37-vjeçarin D. M., i cili ka precedent penal në krime ndaj personit. Ndërkohë, vijon kërkimi për kapjen e 29-vjeçarit M. M.
Materialet në ngarkim të të dyshuarve janë referuar në Prokurori për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.