Plagosje me armë zjarri në Borsh – Policia identifikon dhe shoqëron autorin e dyshuar

Borsh, Himarë – Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në një lokal në Borsh, ku pas një konflikti mes disa shtetasve, një person mbeti i plagosur me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ndodhi rreth orës 02:20 të datës 31 korrik 2025. Menjëherë pas marrjes së informacionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë ndërhyrë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet hetimore.
Nga hetimet paraprake dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se pas konfliktit, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, ka plagosur me armë zjarri automatike shtetasin E. Sh., 33 vjeç, banues në Krujë. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është lokalizuar dhe është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, ku po kryhen veprimet procedurale.
Gjithashtu janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë të përfshirë në konflikt, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe gjetjen e armës së përdorur.




