Plazhi i Pish Poros/ Hapësira e madhe dhe çmimet e ulëta tërheqin jo vetëm vendasit, por edhe të huajt
Plazhi i Pish Poros në Fier tërheq çdo vit një numër të madh pushuesish. Rëra kurative, uji i pastër dhe çmimet e përballueshme e kanë bërë këtë plazh një destinacion të preferuar për pushuesit vendas, por edhe të huaj.
“Kam udhëtuar nga Maqedonia në Greqi dhe tani jam këtu. Është një vend i mrekullueshëm. Njerëzit janë mikpritës, plazhi është shumë i pastër, ushqimet janë të shkëlqyera, gjithçka është e përkryer. Me siguri do të kthehem përsëri për të kaluar pushimet këtu”, shprehet një turist.
Por, kjo zonë e Adriatikut është e njohur gjithashtu për dallgët e forta, të cilat ofrojnë mundësi të shkëlqyera për të apasionuarit pas sporteve të ujit
Artur Sulejmani, i cili prej disa vitesh praktikon sportin kitesurfing, trajnon turistët vendas dhe të huaj që duan të provojnë adrenalinën e dallgëve.
“Prej 10 vitesh e ushtroj këtë sport dhe më të interesuarit janë turistët nga Gjermania, Finlanda dhe Italia”, thotë Sulejmani.
Turistët shprehen të kënaqur me mikpritjen, ushqimin dhe bukuritë natyrore të Shqipërisë.
“Jam këtu bashkë me vajzën time. Rastësisht zbulova këtë destinacion turistik dhe jam duke marrë mësimet e para në kitesurfing. Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur nga mikpritja shqiptare, ushqimi dhe bukuritë natyrore. Do të kthehem përsëri për të kaluar pushimet këtu dhe do t’ia sugjeroj këtë vend edhe miqve të mi”, tregon një tjetër turist.
I ndodhur 20 km larg qytetit të fierit, plazhi i Pish Poros renditet këtë vit ndër plazhet me të dëshiruara për bregun e pastër, rërën, qetësinë, por edhe dunat ranore të rralla për çdo bregdet, jo vetëm në Shqipëri.