Policë të arrestuar për ndërtimin pa leje në Sarandë/ Lamallari paralajmëron zyrtarët që ‘mbyllin sytë’: Hetim i thelluar, do të mbahet përgjegjësi!

Ministri i Brendshëm, Besford Lamallari në një konferencë për mediat ka bërë një paralajmërim të qartë çdo punonjës shteti që shkel ligjin apo abuzon me detyrën në lidhje me ndërtimet pa leje.
Duke u ndalur te aksioni në Sarandë për një rast ndërtimi pa leje, ku ishin të përfshirë dhe punonjës policie, Lamallari theksoi se goditja e policisë, ishte një mesazh i qartë për të gjithë ata që “mbyllin sytë” përballë paligjshmërisë.
Ai tha se përgjegjësia është individuale dhe se shkelësit “llogaritë nuk i kanë vetëm me vendin e punës, por me drejtësinë”.
“Mesazhi ishte i qartë ditën e djeshme, ku bërë me dije, se përgjegjësia është individuale, e njëjta vigjilencë dhe përgjegjësi kërkohet nga të gjitha instancat shtetërore, kjo ishte arsyeja se përse ne çuam në marrjen e masave dhe i dërguam përpara drejtësisë për abuzimin me detyrën për ndërtime pa leje. Ky ishte një mesazh për të gjithë ata që kërkojnë të përfitojnë mbi interesin kombëtar duke mbyllur sytë.
Operacioni në Sarandë ka bërë që kushdo që mbyll sytë ndaj paligjshmërisë dhe aq më keq që bëhet palë ka përgjegjësi të qarta pa kompromis, llogaritë nuk i kanë vetëm me vendin e punës, por me drejtësinë. Për muajin prill janë 67 masa administrative, me një vlerë të konsiderueshme në 120 milionë lekë. Kjo do të vazhdojë për këdo që shkel ligjin”, u shpreh ministri Lamallari.
Lamallari u shpreh se brenda vitit të ardhshëm, do të zbatohet projekti “Smart City” në disa shkolla në Tiranë.
“Kemi 330 efektivë që bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit. Përmenda projektin Smart City. Është projekt që ndryshon faqen e historisë së sigurisë në Shqipëri. Shfrytëzimi i kapaciteteve ekzistuese, por edhe shtimi i mbikëqyrjes elektronike, ndihmon duke përdorur avantazhet që sjell teknologjia e lartë. Jep sinjalet e duhura kur krijon përshtypje që një nxënës ka mjet prerës. Brenda vitit të ardhshëm arsimor do kemi zbatimin e këtij projekti në 21 shkolla në Tiranë”, theksoi ai.




