Polici hero nga Fier, rrezikon jetën për të shpëtuar katër persona nga makina në flakë. Rrëfimi i 26-vjeçarit që shpëtoi katër persona nga tragjedia

Klaidi Mustaj, 26 vjeç, banues në Fier, është bërë “heroi i ditës” pasi rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar katër persona të mbetur të bllokuar në një automjet tip “Benz” që u përmbys dhe shpërtheu në flakë në Qafën e Koshovicës, mbrëmjen e një dite më parë.
Sipas dëshmisë së tij, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin, duke bërë që makina të dilte nga rruga dhe të përmbysej. Në ato momente, Klaidi ndodhej rastësisht pranë vendngjarjes dhe pa hezitim iu afrua për të ndihmuar pasagjerët e bllokuar, ndërsa zjarri po përhapej me shpejtësi.
Ish-jurist në Bashkinë Mallakastër, Klaidi kishte lënë punën për t’iu dedikuar profesionit të policit, një ëndërr e hershme e tij. Ky vendim, siç duket, u bë arsyeja që mbrëmjen e ngjarjes ai të ishte aty, duke shpëtuar jetë njerëzish.
“E vetmja gjë që kisha në mendje ishte t’i nxirrja sa më shpejt nga makina. Flakët po afroheshin dhe çdo sekondë ishte e rëndësishme. Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti se aty pranë kishte rreth 30 persona, por askush nuk ndërhynte. Ishin indiferentë, thjesht shikonin,” – ka treguar ai.
Pas ngjarjes, Klaidi ka marrë dhjetëra falënderime nga qytetarë të thjeshtë, të cilët e kanë vlerësuar për guximin dhe humanizmin e treguar. Ai u uron shërim të shpejtë të plagosurve dhe shton se, nëse do të gjendej sërish përballë një situate të tillë, nuk do të hezitonte ta përsëriste aktin e tij.
Polici hero ka edhe një apel të qartë për drejtuesit e mjeteve:
“Respektoni rregullat e qarkullimit rrugor. Një pakujdesi e vogël mund të marrë jetë.”




